fbpx
Këtu flitet gjermanisht
19.06.2018

Kompania “IQ to Link” në kuadër të zgjerimit të saj nëpër pika të ndryshme nëpër Kosovë, të mërkurën ka hapur edhe qendrën e saj në Gjilan.

Në këtë pikë pritet të punësohen rreth 150 persona, të cilët janë nga Komuna e Gjilanit. Në këtë ambient do t’iu ofrohet mundësi të gjithë gjermanofolësve nga kjo pjesë e Kosovës të jenë pjesë e kompanisë.

Për tri vite veprimi ka arritur të bëhet lider në këtë fushë, si kompania me suksesin më të madh në tregun rajonal, ajo ka vazhduar trendin e zgjerimit të saj.

Në hapjen e kësaj qendre mori pjesë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Ai ka theksuar se të rinjtë e Kosovës janë të barabartë me të rinjtë e botës.

“Personalisht jam shumë pro liberalizimit dhe mendoj se është hapi i fundit për barazi edhe mes të rinjve këtu në rajon, nuk shoh ndonjë arsye pse të rinjtë në Kosovë duhet të trajtohen ndryshe nga të rinjtë e tjerë në rajon, kështu që një nga shumë hapat është në nivel politik, nga ana e biznesit unë mendoj se po shkoni shumë mirë”, tha ambasadori Heldt.

Themeluesit e kompanisë “IQ to Link” kanë treguar se kompania ka të punësuar rreth 700 persona.

Jens Reichenbah dhe Joachim Hofsäsf treguan se kjo është qendra e katërt në vend.

Joachim Hofsäsf ka theksuar se janë krenar që kanë arritur të ndërtojmë një biznes si ky. Ai ka thënë se njerëzit nuk kanë nevojë të shkojnë në Gjermani të kërkojnë punë, sepse këto standarde sipas tij, plotësohen në kompaninë e tyre.

“Jemi krenar që i takojnë kompanisë Webhelp, që është qendra e thirrjeve më e madhja në Evropë, me 50 mijë punëtore dhe prezente në 35 vende të botes”, ka shtuar Hofsäsf.

Ndërsa, Jens Reichenbah ka theksuar se ndjehet krenar qe kanë gjetur njerëz të mirë në Gjilan dhe viteve të fundit edhe nëpër qendrat tjera në Kosovë, që do t’iu ndihmojnë sipas tij, atyre dhe vendit të tyre.

Ai ka thënë se e rëndësishme është t’i ndërtojmë standardet tona dhe t’iu japim një mundësi që të punojnë me një kompani fer.

Ndryshe, me hapjen e qendrës në Gjilan, “IQ  to Link” bëhet me katër qendra në Kosovë: në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.